Historiku i QKVF

          Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është Institucion shtetëror që  merret me veprimtaritë kombëtare në  fushën e folklorit.

          QKVF është krijuar me Urdhër të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Nr.124, Dt.06.06.1994, në kuadrin e ristrukturimit të Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore. Në ketë Urdhër thuhet: Emërimi  “Shtëpia Qëndrore e Krijimtarisë Popullore” të ndryshojë në “Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike”. QKVF ka statutin e vet, të  miratuar nga Ministri i Kulturës. Ka gjithashtu logon dhe rregulloren e institucionit, me të  cilat ushtron veprimtarinë  institucionale në  fushën e trashëgimisë  shpirtërore Nga viti 1994 e deri tani ka organizuar festivalet kombëtare e ato tipologjike, bazuar në kritere shkencore që i shërbejnë jo vetëm spektaklit, por ruajtjes së origjinalitetit të krijimtarisë popullore. QKVF mban lidhje me shoqatat kulturore në  Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të  Zi dhe në  diasporë. Nëpërmjet veprimtarive folklorike ajo synon të  propogandojë, të  ruajë  e të transmetojë  karakterin burimor të  folklorit, si pjesë  e trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar.

Një ndër risitë e QKVF  pas vitit 2005 është botimi i revistës “Gjurmë të shpirtit shqiptar”, ku pasqyrohen veprimtaritë kombëtare të folklorit, si dhe probleme të organizimit të festivaleve folklorike, figura artistësh popullorë në shërbim të Regjistrit Kombëtar të Artistëve popullorë dhe materiale studimore të folklorit.