“Gjurmë në Trashëgiminë Popullore”
Në kuadrin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 6 tetor 2012, ora 11.00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (Pallati i Kulturës), Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike organizoi veprimtarinë “Gjurmë në trashëgiminë kulturore”, kushtuar studiuesit të etnokulturës, Dr.Fejzulla Gjabri.
Në veprimtarinë kushtuar kësaj veprimtariee morën pjesë mjaft të ftuar, si bashkëkrahinas, ish-nxënës, miq e kolegë të tij, punonjës të arsimit e kulturës në kryeqytet, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë. Pjesëmarrja kishte një shtrirje të admirueshme gjeografike: nga Luma, Shkodra, Dibra, Tirana, e deri nga Gjirokastra, studiues e miq të autorit të 6 librave të etonokulturës. Programin e hartuar e paraqiti bukur punonjësja e RTSH, Nermin Spahiu.
Gjithë pjesëmarrësit u njohën me faktin se Fejzulla Gjabri, ky arsimtar e drejtues i njohur shkollash, nga Luma e Kukësit, ka edhe një vlerësim të merituar për punën dhe studimet e tij në fushën e folklorit etj, pra është “Doktor i Shkencave”. Po ta hapni skedarin “online” të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, menjëherë të bien në sy studimet dhe botimet, që ai ka kryer në këtë drejtim. Ja, po përmendi këtu disa prej tyre: “Teoria dhe praktika e legjendave krahinore”(Viti 2000”, “Gjurmë në katër bajrakët-studim”(2002), “Tirana, në legjenda dhe balada-studim foklorik”(2003), “Qazim Lika, jeta dhe vepra-monografi”(2008), “Fjalor enciklopedik i trashëgimisë shpirtërore”(2009) e “Dri, o Dri-legjeda”. Po kështu, ai është bashkautor në disa libra të tjerë të kësaj fushe. E njohur është edhe ndihmesa e tij në përgatitjen dhe botimin e 10 numrave të revistës së QKVF, “Gjurmë të shpirtit shqiptar, ku dr.Fejzulla Gjabri është kryeredaktor i saj
Në fillim të veprimtarisë u dha një montazh filmik, rreth veprimtarisë së pasur jetësore të tij. Ndërsa temat e paraqitura ishin: “Vështrim i shkurtër për fushën e studimeve të F.Gjabrit”(Prof.Dr. Shefqet Hoxha), “Puna dhe përkushtimi i Dr. F.Gjabrit në QKVF”(Esat Ruka), “Libri “Arsimi në Katër Bajrakë, një vlerë e shtuar për arsimin në Lumë (Isa Halilaj, “Mësues i merituar”) dhe “Etnokultura në studimet e F.Gjabrit” (Prof.Dr. Afërdita Onuzi).
Prof.dr.Shefqet Hoxha vlerësoi punën e Fejzulla Gjabrit si mësues e gjurmues I folklorit në Anën e Epërme të Lumës, duke mundur që një pjesë të madhe të tyre edhe t’i botojë. Isa Halili, Mësues i Merituar, bëri një analizë për librin e tij për Arsimin, duke e evidentuar si vlerë e shtuar për shkollat në krahinën e Lumës. Vlerësime pati kumtesa e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Veprimtaive Folklorike, z.Esat Ruka, i cili vuri në dukje jo vetëm punën si studiues, por si specialist i Letërsisë në këtë institucion, duke veçuar meritat në revistën “Gjurmë të shpirtit shqiptar”, si organ i QKVF.
Prof.dr.Afërdita Onuzi, trajtoi bashkëpunimin e Institutin e Kulturës Popullore, (sot IAKSA),ku me materialet e mbledhura e të botuara, arriti të marrë gradën shkencore “Doktor”.
Disa kopertina të librave, me autor Dr.F.Gjabrin
Pastaj, nga të ftuarit u bënë përshëndetje dhe u sollën mbresa e kujtime për Dr.F.Gjabrin. Të tillë ishin disa, si: Shqiponja Hasa (drejtoreshë e sotme e shkollës së mesme të bashkuar, në Bushtricë), Nuredin Lushaj (studiues e poet), Prof. Mark Tirta, Hazbi Lika, Mevlud Buci, Shefqet Zela e të tjerë.
Me këtë rast, një përfaqësues i pushtetit vendor nga vendlindja e tij, i dorëzoi Dr. F.Gjabrit titullin “Qytetar Nderi” i Komunës së Bushtricës.
Një grup artistësh nga rrethi i Kukësit, Treshja Dida- Kovaçi- Çela, si dhe dhe këngëtari Dida, përshëndetën duke interpretuar disa këngë popullore, sidomos nga krahina e Lumës.
Duke i falënderuar nga zemra gjithë të pranishmit në këtë veprimtari, Dr.F.Gjabri foli për rëndësinë që ka folklori, duke e cilësuar sy, zë dhe vesh të kombit dhe tregoi materalet që presin botimin si pjesën e dytë të Fjalorit Enciklopedik të Trashëgimisë Shpirtërore, këngët e dasmës në Katër Bajrakët, studime folklorike etj, të cilat së shpejti do gjejnë dritën e botimit. Pastaj falenderoi lektorët dhe veçoi gjeneralin në pension, Rrahman Perllaku dhe zv.ministrin e Mbrojtjes, Ekrem Spahia, si dhe sponsorët e librave të tij, Safet Gjici, Kujtim e Bashkim Gjoka.
Në fund, të pranishmit morën pjesë, bashkërisht, në koktejlin e organizuar me këtë rast, ku i vazhduan bisedat e tyre për veprimtarin e njohur dhe studiuesin e pasionuar të çështjeve të kulturës popullore, Dr.Fejzulla Gjabri. Por ata u shprehën edhe për nevojën e kujdesit të vazhdueshëm dhe vëmendjen e veçantë, nga të gjithë ne, si për ruajtjen dhe studimin e traditave tona, në këtë sektor me rëndësi për identitetin kombëtar shqiptar.