Kriteret Shkencore dhe Udhëzime për Punën Përgatitore të Festivalit Kombëtar Gjirokastër 2009

16 March 2011 | Kriteret shkencore

Ky udhëzim do të shërbejë për të njohur e zbatuar disa kritere të nevojshme të cilat sigurojnë në një masë të konsiderueshme sjelljen e vlerave autentike etnofolklorike. Zbatimi i tyre me rigorozitet dhe përgjegjësi profesionale do të mundësojë realizimin e qëllimit të organizimit të Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009.

Përzgjedhja e vlerave themelore folklorike do të bëhet para së gjithash mbi bazën e parimit të të qënit burimor. Çdo art ka mjedisin dhe audiencën e vet, ndaj edhe në këtë festival kërkohet të paraqiten tradita të mirëfillta folklorike që i janë nënshtruar qarkullimit gojor dhe me variantet e tyre, pasurojnë kulturën kombëtare.

Gjatë të gjitha fazave përgatitore të kihen parasysh:

1.Krahas krijimeve folklorike me një shtrirje të gjërë, do të qëmtohen edhe të tjera që janë praktikuar në festa familjare, në ato të motmotit apo në rituale fetare, si dhe llojet e boroitjeve në krahina të ndryshme të vendit.

2.Të shmangen vlera tashmë të konsumuara dhe të synohen krijime të panjohura, pak të njohura ose të sjella në festivalet e zhvilluara shumë kohë më përpara për të ndjekur zhvillimin e tyre. Në mënyrë të veçantë të gjurmohen vlerat etnofolklorike qytetare të shtresimeve më të hershme.

3.Të paraqiten krijimet folklorike dhe veshjet e të gjithave krahinave, duke ruajtur raporte të drejta të përfaqësimit të grupmoshave dhe gjinive të ndryshme (të moshuar, brezi i mesëm, të rinj, fëmijë, burra e gra).

4.Të mos pranohen krijime në të cilat janë bërë ndërhyrje dhe përpunime jashtë natyrës së melosit popullor tradicional, po kështu edhe për tekstet e këngëve (qofshim fshatare apo qytetare). Praktika e ndjekur në disa raste në festivalet e mëparshme është një përvojë negative sidomos kur teksti i një kënge të vjetër zevendësohet nga një tekst i ri.

5.Formacionet orkestrale të kenë në përbërjen e tyre vegla të mirëfillta popullore, të cilat kanë shoqëruar tradicionalisht vallet, këngët apo meloditë fshatare dhe qytetare. Të shmangen formacionet orkestrale të sajuara, të cilat nuk sjellin interpretime cilësore. Të bëhet kujdes edhe për sjelljen e veglave apo mjeteve të tjera paramuzikore (gjetheve, pipzave, gurëve, rraketakeve, etj.).

  1. 6.Të mënjanohen sa më shumë elementët spektakolarë që denatyrojnë dhe krijojnë shmangjen nga vlerat autentike.
  2. 7.Të përzgjidhen kërcimet dhe vallet sa më burimore, të luajtura nga grup mosha e gjini të ndryshme dhe të praktikuara në raste të ndryshme. Veçanërisht të mos shpërfillen vallet rituale. Të shmangen krijimet e koreografëve, të cilat krijojnë konfuzion në përcaktimin e motiveve të valleve të njërës apo tjetrës krahinë. Ndërhyrja e tyre në festivalet e mëparshme kanë bërë që të paraqiten krijime të denatyruara.
  3. 8.Të ruhet mënyra tradicionale e veshjes së pjesëve të ndryshme, veçanërisht mënyra e lidhjes së mbulojave të kokës për gratë. Ndërsa burrat të ruajnë formën origjinale të qelesheve të përdorura, në mënyrë që të evitohen dukuri të këtilla që një kostum i burrit tiranas të mbajë në kokë qeleshe si ajo që mbajnë burrat e Kosovës apo Malësisë së Madhe. Përgjithësisht në veprimtaritë e viteve të fundit një dukuri e tillë ka qënë mjaft e pranishme, sidomos në veshjet e burrave.
  4. 9.Të synohet në sjelljen e kostumeve popullore sa më autentike, duke patur parasysh që të jenë të kompletuar edhe me aksesorët përkatës. Përveçse të paraqiten të gjitha tipet e veshjeve të përdorura nga burrat dhe gratë, të tregohet vëmëndje e kujdes që të paraqiten dhe variantet e përdorura në krahina të ndryshme. Për të bërë të mundur pasqyrimin sa më të plotë të tyre, të sillen kostume të grup moshave të ndryshme dhe të shtresave të ndryshme shoqërore. Duke patur parasysh dëmtimet e ndodhura gjatë periudhës së tranzicionit, të bëhet i mundur riprodhimi i veshjeve duke ruajtur prerjet origjinale të tipeve e varianteve të ndryshme, ngjyrat dhe pajimet e përdorura për zbukurim si dhe llojin e materialit të përdorur.
  5. 10.Përgjithësisht të bëhet kujdes edhe në llojet e opingave apo këpucëve që shoqërojnë kostumet e ndryshme për burra dhe për gra, duke përjashtuar përdorimin e sandaleve moderne (për gratë) apo këpucëve atlete (për burrat).
  6. 11.Në përzgjedhjen e këngëtarëve duhet synuar në elementë sa më të njohur e cilësor të marrë nga mjedisi i tyre, fshatar apo qytetar.
  7. 12.Të shmangen elementët e marrë nga grupet artistike të gatshme që aktivizohen nëpër qytete, të cilët nuk janë as bartës, as nuk bëjnë pjesë në grupe të mirëfillta folklorike.
  8. 13.Krahas krijimeve të ardhura nga folklori burimor mund të sillen edhe krijime të reja, por që qëndrojnë brenda ligjësive folklorike.
  9. 14.Të pasqyrohen në mënyrë të plotë edhe vlerat etnofolklorike të popullsisë shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë (nga Kosova, shqiptarët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë, Çamëria, etj.). Ndërsa krijimet e popullsisë çame e kosovare që ndodhen prej kohësh në Shqipëri, të pasqyrohen në masën e duhur, të përfshirë në qarqet ku ata jetojnë aktualisht.
  10. 15.Gjithashtu të pasqyrohen si pjesë të trashëgimisë kulturore shpirtërore kombëtare, të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare dhe linguistike në Shqipëri duke i pasqyruar dhe përfshirë në programet e qarqeve ku ata jetojnë.
  11. 16.Të tregohet vëmendje për paraqitjen e disa gjinive të folklorit (të cilat kanë përparësi dhe do të stimulohen, mbasi përbëjnë vlera të veçanta për historinë e kulturës shqiptare) siç janë : këngët e kreshnikëve, baladat, këngët e epikës historike, etj.
  12. 17.Përfaqësimi i krijimeve të ndryshme lirike përbën vlera të veçanta në zhvillimin e një Festivali Folklorik Kombëtar. Veçanërisht lirika rituale, valle, këngë e praktika të tjera për punën, për festa e ceremoni familjare, lojra të ndryshme, etj. të gjitha këto e pasurojnë më mirë mozaikun e kulturës kombëtare.
  13. 18.Krijime me tematikë fetare janë të pranueshme vetëm kur ato përmbajnë vlera të vërteta artistike.
  14. 19.Vlera të veçanta shkencore e artistike përmbajnë dhe këngët, vargjet, lodrat e ndryshme popullore që luajnë të rinjtë apo fëmijët me shtregulla apo rreth zjarreve rituale, imitimet e zogjve dhe kafshëve, ndjellja e bagëtive, e bletëve, etj.
  15. 20.Interes të posaçëm paraqesin krijimet folklorike të praktikuara për Rusica, Kalendra, Llazore, Shën Gjergj, etj.
  16. Miratuar nga Këshilli Shkencor i Institutit të Atropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

Aprovuar nga Komiteti Organizativ i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009, në mbledhjen e datës 04.11.20


Leave a Reply