“Asht’ kthye zemra, asht’ ba sharki”.

23 May 2012 | Bashkepunime

Në vazhdim të veprimtarive për 100 vjetorin e  Shpalljes së Pavarësisë,  dhe të zbatimit të të kalendarit  për  vitin 2012, QKVF, me  12 maj 2012, organizoi në Shënvlash, në bashkëpunim me Komunën e Rashbullit-Durrës, veprimtarinë:

Asht’  kthye zemra, asht’ ba sharki”.

Ky aktivitet përkon me 100 vjetorin e lindjes së dy legjendave të Rapsodisë Shqiptare, Dervish Shaqa  dhe  Demush Neziri nga Lluka e Epërme, Deçan – Kosovë

Hartimi i platformës  së veprimtarisë  dhe  bashkërendimi i punës me drejtuesit e Komunës së  Rrashbullit, ishte një model  pune bashkëpunimi. Interesimi i komunitetit të Rashbullit, drejtuesve të tij, si dhe modelimi i punës nga ana e QKVF, bëri që ky aktivitet të jetë ndër aktivitetet shembullorë që ka organizuar e menaxhuar institucioni ynë.

Aktiviteti ishte konceptuar jo vetëm si bashkëpunim me komunën Rashbull, por edhe si veprimtari që vlerëson figurat e folklorit shqiptar dhe traditën artistike popullore. Platforma u konceptua në tri drejtime: aspekti studimor, fjala e bashkëpunëtorëve dhe koncert artistik nga krijimtaria e rapsodëve dhe për rapsodet Dervish Shaqa dhe Demush Neziri.

Aktiviteti i cili zgjati rreth 2 orë  me një publik nga vendlindja( Deçani i Kosovës)  dhe vendbanimi i raspodëve ( Shënvlashi i Durrësit), nëpërmjet temave, kujtimeve, këngëve, e ilustrimeve të tjera solli të freskët, me cilësi e vlera të spikatura të krijimtarisë e kontributit shoqëror të rapsodëve legjendë, jetën e tyre dhe vendin që zënë në arealin e trashëgimisë shiptërore kombëtare. U referuan  dy materiale mbi jetën dhe aktivitetin artistik e letrar të rapsodëve nga studiuesit Esat Ruka dhe Fejzulla  Gjabri, përkatësisht  “ Edhe me këngë, afrohet liria…” dhe “Kur ta kthyem Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimën” ku jepeshin të dhëna për jetën dhe kontributin artistik specifik të Dervish Shaqes dhe Demush Nezirit, lidhja e tyre me grupin e Rashbullit, rëndësia e përkujtimit të figurave të tilla artistike, temat e lëvruara në krijimtarinë dhe intereptimet e tyre për figurat e historisë sonë kombëtare, këngët e kurbetit, baladat, lirikat etj.

Një vend të veçantë zuri fjala përshëndetëse e dy kryetarëve të Komunave: Hysen Gashi- Rashbull dhe Rasim Selmanaj-Deçan-Kosovë. Në këtë veprimtari morën pjesë dhe përshëndetën

Deputët ë Kuvendit të Shqipërisë si znj. A. Vokshi, J. Gjana, I. Cara, O. Metalla dhe drejtuesit vendorë znj. Eglantina Bekteshi, kryetare e Qarkut dhe Genci Alizoti, prefekt i Qarkut Durrës.

Emocionet e sallës, të mbushur plot me spektatorë, u shtuan kur folën bashkëkohësit e rapsodëve Ali Mula e Rustem Gjuzi.

Pjesa që plotësoi më së miri programin e aktivitetit ishte koncerti folklorik me këngët e Dervish Shaqes dhe Demush Nezirit, si dhe  krijime enkas kushtuar dy rapsodëve.

Në koncert morën jesë grupi i Rrashbullit, grupi i SHKA, “ Dervish Shaqa” Deçan dhe dyshja kuksiane Kovaçi- Voka.

Grupi i Deçanit interpretoi disa këngë të Dervish Shaqes dhe Demush Nezirit, si dhe dy këngë të krijuara për dy artistët e mëdhenj. Gjithashtu grupi i Rapsodëve të Rashbullit, i njohur me ketë emër që në themelimin e tij nga Derivish Shaqa, përshëndeti me disa këngë të traditës së këtij grupi.

Këshilli i Komunës Rashbull, me këtë rast i vlerësoi të dy artistët  “Qytetar Nderi të Komunës”, me motivacion: “Për kontribut të shquar në ngritjen e grupit artistik të Rashbullit dhe ruajtjen e traditës folklorike”. Përshëndetën nipi i D. Shaqes- Zenun Maksutaj dhe djali i D. Nezirit- Binak Mulliqi.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike disa kohë më parë ka vlerësuar me Mirënjohje Dervish Shaqen,  ndërsa në këtë aktivitet u dha Çertifikatën e Mirënjohjes rapsodit Demush Nezirit dhe grupit të rapsodëve të Deçanit.   Veprimtaria  u mbyll me një këngë të kënduar nga grupi i Rashbullit, “Në mes nesh, përherë të gjallë”.


Comments are closed.