Edicioni i VI-të Ndërkombëtar i Valles Burimore
QKVF në bashkëpunim me Bashkinë Lushnje, nga data 29-31 maj 2012 zhvilloi Festivalin FTN të Valles Burimore.
Ky ishte edicioni i 6 – të dhe si i tillë kërkonte konsolidimin e tij duke ruajtur formatin. Në platformë ishin parashikuar 6 grupe përfaqësuese të qarqeve të vendit si dhe 6 grupe nga jashtë vendit. Festivali ishte konceptuar jo vetëm si bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjes, por edhe si veprimtari multikulturore në ndihmë të turizmin kulturor, vlerësimit të historisë dhe të figurave të folklorit shqiptar.
Festivali filloi në datën 29 maj 2012, me parakalimin e kostumeve popullore në rrugën dhe sheshin qendror të qytetit të Lushnjes dhe në orën 19:30, u dha koncerti përshëndetës nga Qendra Kulturore e Bashkisë së Lushnjes. Në çelje të Festivalit përshëndetën Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, z.Fatos Tushe dhe Drejtori i Festivalit, z.Esat Ruka.
Në ditën e parë garuan grupet e Kosovës, Shkodrës, Lezhës dhe Vlorës.
Dita e dytë nisi me vizita në Manastirin e Ardenicës dhe në Shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Lushnjes. Të pranishmit, veçanërisht grupet e ardhura nga jashtë vendit u njohën me dokumentet e Kongresit të Lushnjes, ndërsa në Ardenicë u foli ciceroni për historinë e manastirit dhe rolin e tij si institucion fetar.
Në vazhdim, në orën 20:00 filloi konkurimi i grupeve: Gostivar, grupi i minoritetit grek të Dropullit, dhe grupi vllah i Kavajës.
Në ditën e tretë u bënë vizita në Muzeun e Lushnjes dhe u përurua libri “Një jetë në valle” e autorit Fran Ukcama, i cili flet për veprimtarinë artistike të koreografit të njohur Shaqir Seci, që u nda nga jeta para kohe. Në këtë aktivitet morën pjesë studiues të folklorit, drejtues të Bashkisë Lushnje, artistë, të ftuar etj. Veprimtaria e Shaqir Secit ishte përgatitur me fotomontazh, u referuan 3 tema për jetën dhe veprimtarine e Shaqir Secit dhe disa bashkëpunëtorë të tij dhanë vlerësimet e tyre.
Në orën 20:00 filloi konkurimi i grupeve: Ansambli “Tirana”, grupi i Shestanit (Ulqin), grupi turk i Prizrenit, grupi i Tropojës dhe grupi i Fierit.
Në mbyllje, Juria e festivalit e përbërë nga: Prof.Asoc. Kozeta Bakiu (koreografe), Genc Kastrati (koregraf) dhe Klodian Qafoku – muzikolog, ndoqi me kujdes gjithë performancën dhe dhe vlerësoi me profesionalizëm interpretimin e valleve të bukura lirike, epike, kërcime të traditës dhe rituale të dasmës, shoqërime orkestrale e veshje origjinale duke përcaktuar këto çmime:
Çmimi i parë – qarku i Fierit (grupi i Fier – Sheganit),
Çmimi i dytë – Grupi i Tiranës (Qendra Kulturore e Bashkisë)
Çmimi i tretë – grupi i Valleve të Shestanit ( i shqiptarëve ne Mal të Zi)
dhe grupi qarkut të Lezhës (përfaqësuar nga Q.Kult. Lezhë)
Çmim Special: Grupi i nacionalitetit turk i Prizrenit
Me çmime të tjera
- Çmimi i Karrierës: Shefqet Dervishi – Krrabë dhe Sako Murati – Fier
- Valltari më i mirë – Shemsedin Sejhati – Prizren
- Valltarja më e mirë – Blerta Shala – Tropojë
Festivali u zhvillua në sheshin qëndror të Lushnjes, i cili një orë para çeljes, ishte i mbushur plot me shikues. Në tri ditët e Festivalit qyteti i Lushnjes kishte pamjen festive, me banderola e flamuj, me këngë e valle, që veshjet popullore shquheshin për larminë e tyre.
Comments are closed.